27.The Ant

  1. Ta Sin. Këto janë ajete të Librit të qartë, të Kur’anit
  2. Udhërrëfim e sihariq për besimtarët
  3. Të cilët falin namazin, japin zeqatin dhe janë të bindur në botën tjetër
  4. Atyre që nuk besojnë botën e ardhshme ua kemi prezentuar si të bukura veprat e tyre, prandaj ata luhaten
  5. Ata i pret e zezë-dita dhe në botën tjetër do të jenë krejt të humbur
  6. Kurse ti, vërtet, Kur’anin e merr nga një i urtë i gjithëdijshëm
  7. Kur Musa i tha familjes së vet: “Kam parë një zjarr, prej andej do t’iu sjell ndonjë lajm, ose do t’iu sjell ndonjë hu të ndezur zjarri që të ngroheni”
  8. Dhe kur arriti te zjarri, dikush thirri: “Qofshin bekuar ata që ndodhën te zjarri dhe ata përreth tij dhe qoftë lavdëruar All-llahu Zot i botërave
  9. O Musa! Unë jam Ai – All-llahu i fortë, i urtë
  10. “Hudhe shkopin tënd!” Dhe kur e pa si lëvizte porsi gjarpër, ai u largua dhe nuk kthehej dot. “O Musa, mos u frikëso. Profetët nuk frikësohen te Unë
  11. Përveç atij që ka bërë mëkat, e pastaj të keqen e ka zëvendësuar me të mirë. Unë, me të vërtetë, do ta fal dhe do të jem i mëshirshëm
  12. Fute dorën tënde në gji, do të dalë e bardhë, pa asgjë të keqe, kjo është një nga nëntë mrekullitë për Faraonin dhe popullin e tij; ata janë, njëmend, popull mosbesimtar
  13. Sepse kur u erdhën argumentet tona, ata haptazi thanë: “Kjo është magji e qartë”
  14. Dhe i mohuan këta me arrogancë e tirani, anipse në vete besonin bindshëm. Pra, shiko si përfunduan ngatrrestarët
  15. Davudit dhe Sulejmanit u dhamë dituri dhe ata të dy thanë: “Lavdi All-llahut, i cili na veçoi mbi shumë besimtarë, robër të tij
  16. Sulejmani trashëgoi Davudin dhe tha: “O njerëz, nëse na është mësuar të folurit e shpendëve dhe na është dhënë gjithçka; hej, kjo është me të vërtetë dhunti e madhe!”
  17. Dhe u mblodhën ushtritë e Sueljmanit: xhindët, njerëzit dhe shpendët, të gjithë tok ia mësynë
  18. Gjersa arritën te Lugina e bubrrecit, një bubrrec tha: “O bubrreca, hyni në vrimat tuaja të mos u shkelë Sulejmani me ushtritë e tij duke mos u hetuar”
  19. Dhe ai qeshi me zë nga fjalët e tij dhe tha: “Zoti im, më bën të falënderoj dhuntitë e Tua që m’i ke dhuruar mua dhe prindërve të mi dhe të bëj vepra të mira që e kënaqin atë, dhe më shtie në mëshirën tënde me robërit tuaj të mirë!”
  20. I kontrolloi shpendët dhe tha: “Përse nuk e shoh pupzën, vall, a nuk është këtu
  21. Do ta dënoj rëndë ose do ta therrë ose do të më sjell arsyetim të fortë”
  22. Ajo nuk ishte fort larg dhe i tha: “Unë di diçka që ti nuk e ke ditur dhe të kam sjellur nga Saba një lajm të sigurt
  23. Me të vërtetë kam gjetur një grua e cila i sundon ata (në Saba) dhe asaj i është dhënë gjithçka, madje ka edhe rezidencë madhështore
  24. Kam parë se ajo dhe populli i saj adhurojnë diellin, e jo All-llahun, - djalli ua ka stolisur sjelljet e tyre dhe i ka shmangurnga rruga dhe ata nuk janë të udhëzuar
  25. Dhe nuk i përulen All-llahut i cili nxjerr atë që është e fshehur në qiej dhe në tokë, dhe e di çka fshihni si edhe atë që e bëni haptazi
  26. All-llahu është, nuk ka tjetër veç Tij, Zot i gjithësisë!”
  27. “Do të shohim – tha (Sulejmani), - a flet të vërtetën apo gënjen
  28. Shpjere këtë letër time dhe hudhjau, e pastaj largohu prej tyre dhe shiko se çka do të thonë, ç’do të përgjigjen!”
  29. “O të mëdhenj! – u tha ajo, - mua më ka ardhur një letër e respektuar
  30. Ajo është nga Sulejmani dhe është me të vërtetë “Në emër të All-llahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!”
  31. Që mos të shtiheni më të mëdhenj se unë, por ejani te unë muslimanë”
  32. “O pari! – tha ajo – këshillomëni në këtë çështje. Unë pa ju kurrgjë nuk do të vendos deri sa ju ta dëshmoni”
  33. “Ne jemi shumë të fortë dhe të guximshëm, - i thanë ata, - kjo është çështje jote, por shih se çka po urdhëron”
  34. “Kur mbretërit pushtojnë ndonjë qytet, - tha ajo, - atë e shembin, kurse banorët autoritativë të tij i poshtërojnë; ashtu bëjnë
  35. Unë atyre do t’u dërgoj një peshqesh dhe do të shoh se me çka po kthehen të deleguarit”
  36. Por, kur ky erdhi para Sulejmanit, ai i tha: “A mua më ofroni peshqeshe për të më përfituar? Ajo që All-llahu më ka dhënë mua është më e mirë se ajo që u ka dhënë juve. Ju u gëzoheni dhuratave tuaja
  37. Ktheu te ata se ne do t’u sjellim një ushtri së cilës nuk do të mund t’i dalin para dhe do t’i përzëmë së andejmi të nënçmuar dhe të nënshtruar”
  38. “O pari, - u tha ai, - cili prej jush do të ma sjellë rezidencën e saj para se të vijnë ata të më dorëzohen?”
  39. Ifriti, një nga exhinët, tha “Unë po ta sjell akoma pa luajtur ti nga ky vend; unë pa mëdyshje jam i fortë dhe i sigurt për atë”
  40. Ai, i cili kishte dijeni nga Libri tha: “Unë po ta sjell para se t’i hapësh e t’i mbyllish sytë”. Dhe kur (Sulejmani) e pa se rezidenca gjindet tanimë para tij, tha: “Kjo është dhunti e Zotit tim! Më sprovon a do të falënderoj apo do të mohoj. Pra kush falënderon, falënderon veten e kush mohon, ani, Zoti im është i pasur dhe fisnik
  41. Ndërronia, - tha, - pamjen rezidencës së saj, ta shohim a mund ta njoh apo jo!”
  42. Dhe kur ajo erdhi, iu tha: “A është kështu rezidenca jote?” “Si të ishte ajo vetë” – u përgjegj ajo. Por neve na është dhënë dijenia më para asaj, dhe ne jemi besimtarë”
  43. Atë e kanë shmangur nga besimi i drejtë ata të cilëve ajo u është falur në vend të All-llahut, sepse ajo ishte nga një popull jobesimtar
  44. “Hyr në oborr”, - iu tha asaj. Dhe kur ajo e pa atë, mendoi se është ujë i thellë, andaj përvoli fustanin te këmbët. “Ky oborr është me pllaka të lëmuara qelqi” tha ai. “O Zot – thirri ajo – unë kam bërë krim ndaj vetvetes, ndërkaq me Sulejmanin i dorëzohem All-llahut, Zotit të botërave”
  45. Kurse Themudit i kemi dërguar vëllaun e tyre, Salihun, mbase do ta adhurojnë All-llahun, por ata u ndanë në dy grupe që kundërshtohen
  46. “O populli im, - u thoshte ai, përse shpejtoni në vepra të këqia para veprave të mira? Përse nuk kërkoni falje prej All-llahut, mbase do t’ju mëshirojë”
  47. “Kemi shenja të këqija për ty dhe ata që janë me ty”, - i thanë ata, - Tek All-llahu i keni të tëra – tha ai – por ju jeni një popull ngatrraç”
  48. në qytet ishin nëntë vetë të cilët, në vend të punëve të mbara, bënin çrregullime dhe mbrapshti
  49. “Betohuni, - thanë, - në All-llahun, t’ia mësyjmë atij dhe familjes së tij natën, e pastaj farefisit të tij të afërt do t’i thomi: Ne nuk dimë asgjë për maltretimin e familjes së tij, ne jemi me të vërtetë të sinqertë”
  50. Dhe patën kurdisur një kurthë, por edhe ne u bëmë gjithashtu një grackë dhe ata nuk e hetuan
  51. pra, shikoje si përfunduan kurthërimet e tyre? I shfarosëm të gjithë, edhe ata edhe popullin e tyre
  52. Qe shtëpitë e tyre të mbetura shkret, për shkak të krimeve që bënë. Këtu, me të vërtetë, ka argument për popullin që merr vesh
  53. Por ata të cilët besuan dhe iu shmangën mëkatit i shpëtuam
  54. Edhe Lutin, kur i tha popullit të vet: “A bëni marrëzi haptazi
  55. A njëmend më me kënaqësi kontaktoni me mashkujt se me femrat? Ju, me të vërtetë, jeni njerëz injorantë!”
  56. Përgjegje e popullit të tij ishte vetëm kjo: “Përzene familjen e Lutit nga qyteti juaj, ata janë njerëz të spastruar!”
  57. Dhe ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij, përveç bashkëshortes së tij; atë e caktuam të mbetet me të tjerët
  58. Atyre u lëshuam një shi, çfarë shiu të tmerrshëm, atyre të cilët qenë thirur (në rrugë të drejtë)
  59. Thuaj: “Falënderimi i qoftë All-llahut dhe qetësi njerëzve të tij, të cilët Ai i ka zgjedhur!” Është më mirë All-llahu apo ata që ia konsiderojnë shok
  60. Apo Ai i cili krijoi qiejtë dhe tokën dhe që ju lëshon shi nga qielli? Me të gjelbërojmë kopshte të bukura. Nuk është në duart tuaja të mbini lisat e atyre (kopshteve). A ka pos All-llahut tjetër Zot? Jo, por shumica prej tyre nuk dinë
  61. Ai i cili Tokën e ka vënë në drejtpeshim dhe nëpër të përshkoi lumenj, në të vendosi male, kurse dy dete i ndau. A ka pos All-llahut tjetër Zot? Jo, por shumica sish nuk e dinë
  62. Ai i cili i përgjigjet edhe të ngratit, kur ky i drejtohet Atij, Ai i cili të keqen e largon dhe juve u bën zëvendës në tokë. A ka pos All-llahut tjetër Zot? Fort pak ju përkujtoni
  63. Ai i cili juve në errësira, në tokë e në det u tregon rrugën dhe i cili erërat i çon me mëshirën e vet si sihariq. Vallë, a ka pos All-llahut tjetër Zot? Sa lart është All-llahu përmbi atë që ia bëjnë shok
  64. Apo Ai që zë fillin e krijimit e pastaj e përsërit atë, dhe që ju furnizon nga qielli dhe toka. A ka tjetër Zot me All-llahun? Thuaj: “Sillni argumentet tuaja nëse jeni të sinqertë”
  65. Thuaj: “Askush përveç All-llahut, as në qiell as në tokë, nuk e di se çka do të ndodhë. Nuk kanë për ta ndie as ringjalljen
  66. Fare pak dinë për botën tjetër! Por kanë edhe dyshim në të, sepse janë të verbër ndaj saj”
  67. Ata që nuk kanë besuar thonë: “A thua kur të bëhemi dhe, ne edhe të parët tanë, njëmend, do të ngjallemi
  68. Kjo qysh moti na është përmendur neve dhe të parëve tanë, por këto janë vetëm legjenda të popujve të lashtë”
  69. Thuaj: “Udhëtoni nëpër botë dhe shikoni si kanë përfunduar mëkatarët!”
  70. Dhe mos u pikëllo për ta as mos të vijnë rëndë ngatrresat e tyre
  71. Ata pyesin kur do të realizohet ky premtim, nëse flisni të vërtetën
  72. Thuaj: “Mbase do t’ju arrijë diçka nga ajo për të cilën po u ngutet!”
  73. Me të vërtetë Zoti yt është bëmirës i madh për njerëzit, megjithatë shumica sish nu janë mirënjohës
  74. Zoti yt e di mirë çka u fshehin krahërorët e tyre dhe çka shfaqin haptazi
  75. Nuk ka kurrgjë të fshehur as në qiell as në tokë e të mos jetë në Librin e qartë
  76. pa mëdyshje ky Kur’an u flet izraelitëve më së shumti për atë me çka ata nuk pajtohen
  77. Ai është, pa mëdyshje, udhërrëfyes dhe mëshirë për besimtarët
  78. Zoti yt do t’i gjykojë me urtësinë e Tij: Ai është i fuqishëm dhe i gjithëdijshëm
  79. Prandaj, kij mbështetje te All-llahu, ti pa dyshim je më të drejtë haptazi
  80. Ti nuk mund të thërrasësh të vdekurit e as të sjellish në mend të shurdhët kur ta kthejnë shpinën
  81. As mund t’i kthesh nga mashtrimi i tyre të verbërit; Ti i thërret vetëm ata, të cilët, besojnë në argumentet tona, e ata janë muslimanë
  82. Dhe kur fjala të bëhet realitet te ata (të vijë koha e dënimit) Ne do të nxjerrim nga toka një kafshë që do t’ju flasë atyre se njerëzit nuk kanë qenë të bindur në faktet tona
  83. Kurse atë ditë kur të mbledhim prej secilit popull nga një grumbull, prej atyre që kanë mohuar argumentet tona, ata do të jenë të penguar
  84. Madje kur të vijë Ai do të pyes; “A i keni mohuar ju argumentet e mia, sepse nuk i keni kuptuar ata, apo ç’keni bërë?”
  85. Dhe ndaj tyre do të zbatohet fjala (dënimi) ngase kanë bërë krime, e ata nuk do të flasin asgjë
  86. A nuk e kanë parë se natën e kemi bërë që të pushojnë, kurse ditën për të parë? Në këtë ka argumente për një popull që beson
  87. Dhe në ditën kur t’i fryhet bririt e të trishtohen ç’ka ka në qiej dhe në tokë, përveç atyre të cilët All-llahu i kursen, të gjithë do të vijnë të nënshtruar
  88. Ti i sheh malet dhe mendon se nuk lëvizin, por ato kalojnë sikur retë, - ajo është vepër e All-llahut, i cili, çdo gjë e ka krijuar të përsosur; Ai, njëmend, është i njoftuar ç’punoni
  89. Kush sjell vepër të mirë do të fitojë shpërblim më të mirë për të. Ata do të jenë të kursyer nga frika e asaj dite dhe të sigurtë
  90. Kurse ata që bëjnë keq, do të hidhen me krye në zjarr. A shpërbleheni me tjetër përveç me atë çka punoni
  91. Unë jam i urdhëruar t’i falëm vetëm Zotit të këtij qyteti, të cilin Ai e ka bërë të shenjtë. Atij i takon çdo gjë dhe jam i urdhëruar të jem njëri nga muslimanët
  92. Edhe të lexoj Kur’anin; ai i cili merr rrugën e drejtë, atë e ka për të mirën e vet; ndërsa atij që është i humbur, thuaj: “Unë vetëm tërheq vërejtjen”
  93. Dhe thuaj: “Qoftë lavdëruar All-llahu, Ai do t’ju tregojë argumentet e veta dhe ju do t’i njihni!” Sepse Zoti yt nuk është indiferent ndaj asaj që bëni ju