20.Taa-Haa

  1. Ta Ha
  2. Nuk ta shpallëm Kur’anin për të të munduar
  3. Por vetëm si vërejtje për atë që frikësohet
  4. Si shpallje nga ai i cili ka krijuar tokën dhe qiejt e lartë
  5. I Gjithmëshirshmi i cili mbisundon gjithësinë
  6. Të Atij janë çka ka në qiej dhe çka ka në tokë, dhe ç’ka ndërmjet tyre, edhe çka ka nën tokë
  7. Edhe në qoftë se flet haptazi – ani, Ai e di fshehtësinë dhe çka mendon në vete
  8. All-llahu, nuk ka tjetër Zot përveç Atij, ka emrat më të mirë
  9. A të ka arritur ty rrëfimi për Musaun
  10. Kur pa një zjarr dhe i tha familjes së vet: “Pritni këtu, unë e kam parë një zjarr, ndoshta ju sjell ndonjë urë ose gjej te zjarri ndonjë udhërrëfyes
  11. Dhe kur erdhi aty, dikush i thirri, “O Musa
  12. Me të vërtetë Unë jam Zoti yt! Zbathi pra këpucat tuaja, se ti je, pamëdyshje, në luginën e bekuar – Tuva
  13. Ty Unë të kam zgjedhur, prandaj dëgjo çka po të shpallet
  14. Unë, pa dyshim, Unë jam All-llahu, që nuk ka tjetër Zot përveç meje, prandaj vetëm mua më adhuro dhe kryej faljen për të më përkujtuar
  15. Momenti i kijametit do të vijë me siguri, e mbaj gati në fshehtësi për t’u shpërblyer secili për atë që e ka fituar
  16. Dhe nga kjo askush le të mos shmangë as ai që nuk i beson kësaj dhe që pason epshin e vet, dhe të jesh i humbur
  17. Po ç’e ke atë në dorë të djathtë o Musa?”
  18. “Ky është shkopi im, - tha, - me të cilin mbahem dhe me te u grahu dhenve të mia, por më shërben edhe për punë tjera”
  19. “Hidhe o Musa! – i tha Ai
  20. Dhe ai e hodhi, kur qe, - ai gjarpër i cili po zvarriset
  21. I tha: “Merre atë dhe mos u frikëso! Ne do ta kthejmë në gjendjen e mëparshme
  22. Dhe fute dorën në nënsjetullën tënde, dora do të dalë e bardhë, pa asgjë të keqe, si mrekulli e dytë
  23. Për të treguar ty nga mrekullitë tona të mëdha
  24. shko te Faraoni! Ai njëmend e tepron!”
  25. “O Zoti i, - tha, - zgjëroma krahërorin tim
  26. Dhe ma lehtëso punën time
  27. Zgjidhma nyjën në gjuhën time
  28. Ta kuptojnë fjalën time
  29. dhe më jep një ndihmës nga familja ime
  30. Harunin, vëllaun tim
  31. Forcoma, me atë, fuqinë time
  32. Dhe bëma shok në punën time
  33. Që të të lartësojmë shumë
  34. Dhe që të të përmendim shpesh
  35. Ti, me siguri, na sheh neve”
  36. “Të qoftë dhënë çka lype o Musa, i tha
  37. dhe Ne edhe një herë tjetër të afruam mëshirën tonë
  38. Atëherë kur nënës tënde i shpallëm çka shpallet
  39. Vendose në sandëk dhe hudhe në lum, e lumi do ta qes në breg, që ta marrë armiku im dhe i atij. Unë të kam bërë të dashur nga gjithkush dhe të rritesh nën mbikqyrjen time
  40. Kur shkoi motra jote dhe tha: “A doni që unë t’ua tregoj atë e cila do të kujdeset për të. Dhe ne të kthyem te nëna jote që të gëzohet, të mos pikëllohet. Dhe ti pate mbytur një njeri, por ne të liruam nga ajo brengë dhe të shpëtuam nga peripeci të ndryshme. Ti i kalove disa vjet në mesin e banorëve të Medjenit, pastaj, o Musa, erdhe mu në kohën e caktuar
  41. Dhe Unë të zgjodha për vete
  42. Shkoni ti dhe vllai yt, me argumentet e mia, por Mua mos më hiqni nga kujtesa
  43. Shkoni te Faraoni, se ai njëmend e ka tepruar
  44. Dhe folni atij me fjalë të buta, mos po mendon ose frikësohet!”
  45. “O Zoti ynë, - thanë ata dy, - kemi frikë mos po na ndëshkon menjëherë dhe po e kalon çdo kufi”
  46. “Mos kini frikë! – tha Ai. Jam unë me ju të dy. Dëgjoj dhe shoh
  47. Shkoni te ai e thuani: “Ne jemi profetë të Zotit tënd, lëri izraelitët të vijnë me ne dhe mos i mundo! Të kemi sjellë argument nga Zoti yt, e le të jetë në paqe ai, i cili shkon rrugës së drejtë
  48. Neve na shpallet se dënimi pa dyshim do ta goditë atë që gënjen dhe shmanget (nga e vërteta)”
  49. “Po kush është Zoti juaj, o Musa?” – u tha ai
  50. “Zoti ynë, - tha, - është ai i cili u ka dhënë krijesave të veta gjthçka ka nevojë, pastaj e ka udhëzuar”
  51. “E çka është, - u tha ai, - me breznitë e mëparshme?”
  52. “Për këtë ka informata në një libër të Zotit tim. Zoti im nuk devijon e as harron
  53. I cili e ka bërë për ju tokën djep dhe nëpër të ju ka hapur shtigje dhe ju lëshon nga qielli shiun. Ne me atë bëjmë që të mbijnë çiftë bimësh të llojllojshme
  54. Ushehuni dhe kullotni kafshët tuaja! Në këtë ka, njëmend, argumente për ata që kanë mend
  55. Nga ajo (toka) ju kemi krijuar dhe në të do t’iu kthejmë edhe prap nga ajo do t’ju nxjerrim edhe një herë
  56. Dhe Ne atij ia kemi treguar të tëra argumentet tona, por ai i përgënjeshtroi dhe i refuzoi
  57. E i tha “A na ke ardhur që me magjitë tua të na nxjerrish nga vendi ynë o Musa
  58. Edhe ne ty, patjetër, do të përgatisim një magji sikurse ajo. Caktone afatin, të cilit, do t’i përmbahemi edhe ne edhe ti, në një vend të përshtatshëm!”
  59. “Takimi le të jetë ditën e festës, - tha, - dhe populli le të tubohet në mëngjes”
  60. Dhe Faraoni shkoi dhe mblodhi magjistarët e vet dhe erdhi
  61. “Të mjerët ju! – u tha Musa. Mos shpifni gënjeshtra për All-llahun e t’u shfaros me dënim. Pamëdyshje kush shpif-dështon”
  62. Dhe ata filluan të polemizojnë për punën e tyre ndërveti por fshehurazi
  63. Thoshin: “Këta dy janë magjistarë që me magjitë e tyre duan t’iu largojnë nga vendi juaj dhe ta çrrënjosin fenë tuaj shembullore
  64. Prandaj, bashkoni dredhitë tuaja dhe dilni si në front. Sot ka sukses ai që ngadhënjen”
  65. O Musa, - i thanë ata, - a po do ti, apo ne, t’i lëshojmë të parët?”
  66. “Lëshoni ju”, - tha ai, - dhe njëherë iu duk se litarët me shkopinjtë, mjete të magjive të tyre lëviznin
  67. Dhe Musa ndjeu në vete një frikë
  68. “Mos u frikëso! – i thamë Ne. ti je superior
  69. Vetëm se lëshoje atë çka ke në dorën e djathtë e t’i përbijë çka kanë bërë ata, sepse ata kanë bërë vetëm mashtrim magjistarësh, dhe magjistari kudo që të vijë nuk do të ketë sukses”
  70. magjistarët u hodhën në sexhde dhe thanë: “Ne i besuam Zotit të Harunit dhe të Musasë!”
  71. “A ju i besuat, - u tha, - (Faraoni) pa u lejuar unë? Ai është mësuesi juaj, ai ju ka mësuar magjinë, dhe unë, gjithsesi, do t’iu pres duart e këmbët tërthorazi; do t’iu varë në trupat e panjave dhe sigurisht do ta dini se kush prej nesh e ka dënimin më të tmerrshëm dhe më të gjatë
  72. “Ne ty, - i thanë, - pasha atë që na ka krijuar, nuk do të japim përparësi para argumenteve që na kanë ardhur, e ti bën çka të bësh, atë mund ta bësh vetëm në jetën e kësaj bote
  73. ne i besojmë Zotit tonë për të na falur gabimet tona dhe magjitë për të cilat ti na ke detyruar. Dhe All-llahu është më i mirë dhe i pafund”
  74. Atë, i cili para Zotit të vet del si mëkatar, e pret xhehennemi, ku as vdes as jeton
  75. Dhe kush vjen te Ai, si besimtar, dhe ka bërë vepra të mira, ata të tërë i presin merita të larta
  76. Kopshte të Adënit, ku do të rrjedhin lumenj. Aty do të mbesin përgjithmonë, dhe ajo është shpërblim për ata që po pastrohen nga mëkatet
  77. Dhe Ne i patëm kumtuar Musaut “Transferoi robërit e mij dhe nisu me ta natën rrugës së thatë, përmes detit, pa u frikësuar se po të arrin kush dhe mos i druaj përmbytjes”
  78. Dhe Faraoni me ushtrinë e tij i ndoqi pas, por ata i mbuloi deti si i pat mbuluar
  79. dhe Faraoni e çoi popullin e vet në humbje dhe nuk e drejtoi në rrugë të drejtë
  80. O Izraelitë, Ne ju shpëtuam nga armiku juaj, dhe ju premtuam anën e djathtë të Turit dhe ju dërguam “man” dhe “selva” (fëllënza)
  81. Hani ushqime me shije me të cilët ju furnizojmë dhe mos zemëroheni në këtë, e t’iu qëlloj hidhërimi im, sepse kë e godet hidhërimi im, ai e ka pësuar
  82. Unë, me siguri, jam falës i madh për atë, i cili, pendohet dhe beson e bën vepra të mira, mandej e vazhdon rrugën e drejtë
  83. “Po çka t’u ngut ty para popullit tënd, o Musa?”
  84. Tha: “Ata po më ndjekin për gjurmësh dhe jam ngutur te Ti, o Zot që të jesh i kënaqur,”
  85. “Ne popullin tënd, pas teje, e vumë në sprovë, tha Ai. Atë e çoi në humbje Samiriu.”
  86. Dhe Musa u kthye i hidhëruar dhe i demoralizuar te populli i vet. “O populli im, - u tha, - a nuk ju dha Zoti juaj premtim të bukur, a u bë kohë e gjatë për ju apo ndoshta doni t’ju gjejë hidhërim i Zotit tuaj, prandaj nuk e keni mbajtur premtimin që ma dhatë!”
  87. “Nuk e kemi thyer premtimin që ta dhamë nga vullneti ynë, - thanë ata. Kemi qenë të ngarkuar me barra nga stolitë e popullit dhe atë e shkrimë. Ashtu veproi edhe Samiriu,”
  88. Dhe ai bëri një viç që jepte zë sikur pëlliste e ata i thanë: Ky është Zoti juaj dhe Zoti i Musasë, ai e ka harruar”
  89. “A nuk e shihnin ata se ai asnjë fjalë nuk u përgjigjet dhe nuk ka mundësi t’u bëjë dëm as dobi?”
  90. U pat thënë atyre Haruni, qysh më parë: “O populli im! Ju me atë vetëm jeni vënë në sprovë; Zoti juaj është i Gjithmëshirshëm, prandaj më pasoni mua dhe dëgjoni urdhërin tim!”
  91. “Ne, - i thanë ata, - do të vazhdojmë këtë derisa të na kthehet Musa”
  92. “O harun, - i tha, - (Musa) çka të ka penguar ty, kur i ke parë se kanë devijuar
  93. Që të mos vish pas meje? A e kundrështove urdhërin tim?”
  94. “O bir i nënës time, - i tha ky, - mos më kap për mjekre e për flokësh! Unë kam pasur frikë mos thuash ti se ke mbjellë përçarje ndërmjet izraelitëve dhe nuk je kujdesur për jflanë time”
  95. “Po çka thua ti o Samiri? – tha (Musa)
  96. “Unë, - tha ky, - kam parë atë çka nuk e kanë parë ata, andaj mora një grusht dhe prej gjurmës së profetit dhe e hodha atë, dhe ja, më pëlqeu vetvetja, bëra çka bëra”
  97. “Shporru pra! – i tha Musa. Ti tërë jetën tënde do ta thuash: “Mos më prekni askush!” Por të pret një përfundim që nuk ndryshohet dot. Shikoje vetëm Zotin tënd të cilit i je bindur! Ne me siguri do ta djegim e hirin do t’ia derdhim nëpër det
  98. Zoti juaj është All-llahu, tjetër Zot përveç Atij nuk ka! Ai di çdo send”
  99. Dhe ashtu ne të rrëfejmë disa lajme për atë çka ka kaluar dhe të shpallim nga ana jonë Kur’anin
  100. Kush e refuzon këtë, në Ditën e kijametit, me siguri do të bartë një barrë
  101. Në këtë barrë janë përgjithmonë. Po barrë të shëmtuar kanë në Ditën e kijametit
  102. Atë ditë kur të fryhet në bri e t’i mbledhim mëkatarët
  103. Do të përshpërisin ndërmjet veti: “Kemi qëndruar vetëm dhjetë ditë”
  104. Ne dimë mirë se për çka flasin ata kur ai më i informuari ndër ata thotë: “Keni qëndruar vetëm një ditë”
  105. Dhe do të pyesin për malet, por ti thuaju: “Zoti im ata do t’i bëjë hi e pluhur”
  106. Andaj do t’i lerë shkret dhe thatë
  107. Nuk do të shohësh në të as thellësi as lartësi
  108. Atë ditë ata do ta pasojnë thirrësin. Nuk ka shmangie prej këtij dhe para të Gjithmëshirshmit do të ulen zërat, e ti s’do të dëgjosh tjetër vetëmse përshpëritje
  109. Atë ditë nuk do t’i vlejë ndërmjetsimi askujt përveç atij të cilit i lejon i Gjithmëshirshmi dhe është i kënaqur me fjalën e tij
  110. Ai e di se çka gjendet përpara tyre dhe çka i pret pas asaj, kurse ata nuk mund ta dinë këtë
  111. Njerëzit do t’i përulen të gjallit dhe të përjetshmit. E humbën shpresën ata që bën krime
  112. Ndërsa, kush bën vepra të mira dhe është besimtar, nuk do të ketë frikë prej ndonjë mizorie e as humbjeje
  113. Dhe ja, kështu Ne e shpallim Kur’anin në gjuhën arabe dhe aty përsërisim qortimet në mënyrë që ata të ruhen ose të nxisin tek ata rikujtimin
  114. Qoftë lartësuar All-llahu, Sundues i vërtetë! Dhe mos u ngut me leximin e Kur’anit para se të përfundojë shpallja e tij, dhe thuaj: “O Zoti im, shtoma diturinë!”
  115. Edhe Ademin e porisitëm në fillim, por ai harroi dhe nuk u tregua i vendosur
  116. Dhe kur u tham engjujve, përuluni Ademit, ata u përulën përveç Iblisit. Ai refuzoi
  117. Prandaj i thamë: “O Adem! Ky është me të vërtetë armik edhe i yti, edhe i gruas tënde, prandaj kurrsesi le të mos iu nxjerrë nga parajsa e të përjetosh ngushtësi
  118. Aty ke të tëra, që të mos jesh i uritur as i zhveshur
  119. Dhe ti aty as ke etje as vapë”
  120. Por djalli filloi t’i sillet duke i thënë: “O Adem, a do të ta tregoj pemën e pavdekshmërisë dhe mbretërisë së përhershme
  121. Dhe ata dy hëngrën nga ajo dhe filloi t’u shfaqen vendet e turpshme, andaj filluan t’i mbulojnë me gjethe të xhennetit. Ashtu Ademi bëri gabim ndaj Zotit të vet dhe devijoi
  122. Pastaj, Zoti i tij e zgjodhi dhe ia fali, edhe e përudhi
  123. “Dilni prej aty të dy bashkë – tha Ai, - si armiq të njëri tjetrit.” Nga unë do të vijë gjithsesi udhëzimi dhe kush e pason udhëzimin tim nuk devijon dhe nuk do të jetë i pafat
  124. Por kush i kthen shpinën udhëzimit (Librit) tim, ai do të çojë jetë të rëndë dhe në ditën e kijametit do të ngjallim të verbër
  125. Do të thotë: “O Zoti im, pse më ke ngjallur të verbër kur unë i kam pasur sytë?”
  126. Ai do të thotë, ashtu si i ke harruar argumentet tona që të kanë ardhur ty, sot do të jesh i harruar
  127. Ne ashtu e shpërblejmë atë që e tepron në mëkate dhe nuk u beson argumenteve të Zotit të vet. Kurse dënimi i botës tjetër do të jetë, pa dyshim, më i rëndë dhe i pafund
  128. A nuk janë të njoftuar se sa popuj para atyre i kemi shfarosur? Ata mbi vendbanimet e tyre ecin! Në këtë ka, njëmend, argumente për njerëzit e mençur
  129. Dhe sikur të mos ishte fjala e dhënë, më herët, e Zotit tënd, dënimi do të ishte i pashmangshëm
  130. Prandaj, duro fjalët e tyre dhe lartëso me falenderim Zotin tënd, para se të dalë dielli dhe para se të perëndojë. Lartësoje edhe në orët e natës edhe në skajet e ditës, ndoshta do të jesh i kënaqur
  131. Dhe kurrsesi mos të ikë syri në ato bukuri të kësaj bote me të cilat ne i kënaqim grupe të ndryshme prej tyre, për t’i vënë në sprovë me të, sepse shpërblimi i Zotit tënd është më i mirë dhe i pafund
  132. urdhëroje familjen tënde të kryejë namazin dhe insisto në këtë! Ne nuk kërkojmë prej teje furnizim. Ne ty do të furnizojmë! Ardhmëria është e atyre që janë ruajtur
  133. Ata thonë: “Të na kishte sjellë ndonjë mrekulli nga Zoti i tij?” A mos nuk ju erdh ndonjë sqarim lidhur me atë se çka ka në broshurat e mëparshme
  134. Po sikur t’i kishim shfarosur më herët me ndonjë dënim, me siguri do të thonin: “O Zoti ynë, pse nuk na dërgove ndonjë profet, e ne fjalët tua, do t’i kishim pasuar para se të poshtërohemi e të turpërohemi”
  135. Thuaj: “Secili po pret, pra, pritni edhe ju! Me siguri keni për të ditur kush kanë qenë ithtarët e fesë së vërtetë dhe kush ka qenë i udhëzuar drejt”